Kinematografia maqedonase pas rënies së komunizmit, shkruan Atanas Çupovski

 

Të gjitha të drejtat për këtë botim janë të mbrojtura me ligj.

Ndalohet kopjimi, shumimi dhe publikimi i pjesëve apo i tërë botimi nëpër media të shkruara ose elektronike dhe për çdo lloj të përdorimit publik pa pëlqimin e botuesit ose autorit.

Dr. Atanas Çupovksi

 

Ndikuar nga revolucionet e “kadifenjta” dhe jo të “kadifenjta” në Poloni, Hungari, Gjermaninë Lindore, Bullgari dhe Rumuni në vitin 1989, që çuan në rënien e komunizmit në Evropën Lindore dhe republikat që ishin pjesë e Jugosllavisë së atëhershme të SFRJ-së, në vitin 1990 pati ndryshime politike që sollën rënien e komunizmit dhe futjen e demokracisë parlamentare. Një vit më pas, në vitin 1991, Republika e Maqedonisë shpalli pavarësinë dhe doli nga federata jugosllave.

Nga ajo periudhë e deri më sot, kuptohet, si e gjithë shoqëria, edhe kinematografia maqedonase pësoi ndryshime të mëdha. Së pari: në vend të produksionit të vetëm shtetërorë të prodhimit të filmave “Vardar Film” e Shkupit, u formuan edhe shumë produksione të pavarura të filmit. Së dyti: përkundër performancës së palakmuar ekonomike të shtetit, si dhe vështirësive objektive historike (luftërat në ish-shtetin e përbashkët jugosllav, embargoja e Kombeve të Bashkuara për Republikën fqinje të Serbisë, kontesti për emrin Maqedonia me Republikën e Greqisë, embargoja për Maqedoninë nga ana e Greqisë, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, lufta gjashtëmujore me guerilën shqiptare në vitin 2001, etj.). Kinematografia maqedonase në periudhën nga pavarësia e deri më sot, në më pak se tridhjetë vjet, duke përfshirë bashkëprodhimet ndërkombëtare, arriti të prodhojë nëntëdhjetë filma artistikë të metrazhit të gjatë dhe një numër të madh dokumentarësh, filma të metrazhit të shkurtër dhe filma të animuara, që për një kinematografi kaq të vogël si ajo maqedonase paraqet një numër mbresëlënës, veçanërisht kur krahasohet me numrin e filmave të prodhuar në Maqedoni gjatë komunizmit – tridhjetë e shtatë filma artistikë të metrazhit të gjatë për aq vite, nga viti 1952 kur u realizua filmi i parë artistik maqedonas “Frosina”, deri në realizimin e komedisë “Fundjava e të vdekurve” në vitin 1988.

Në vazhdim të këtij teksti, do ti referohemi specifikave të kinematografisë maqedonase në kohën pas rënies së komunizmit, e cila në këtë rast përkon me pavarësinë e shtetit, do ti radhisim autorët më të rëndësishëm dhe shkurtimisht do ti analizojmë arritjet më të rëndësishme filmike. Për shkak të hapësirës së kufizuar, në këtë tekst do të përqendrohemi vetëm në arritjet e filmave artistikë të metrazhit të gjatë. Për ta bërë më të lehtë udhëtimin nëpër labirinthet e kinemasë maqedonase, si pikë referimi do të na shërbejnë emrat e regjisorëve më të njohur të kinematografisë maqedonase pas rënies së komunizmit.

 

MJESHTËRIT E VJETËR

 

Nëse karakteristikë e kinematografisë maqedonase në kohën e komunizmit ishte preokupimi me tema historike, nga tridhjetë e shtatë filmat artistikë të lartëpërmendur, dy të tretat e tyre merren me të kaluarën historike – në periudhën pas pavarësisë, megjithëse nuk mungojnë temat historike, theksi është vënë në modernizmin dhe portretizimin e individit të robëruar në labirinthe etnike, ushtarake dhe ato të tranzicionit, ku shumë regjisorë të rinj kapën mundësinë për të bërë filmat e tyre. Bie në sy ajo që, ndryshe nga kinematografitë tjera të Evropës Lindore, krijuesit e filmave maqedonasë deri më tani kanë bërë shumë pak për të rishikuar në mënyrë kritike periudhën e sundimit të ideologjisë komuniste në shoqëri. Përkundër kësaj, ajo që është vazhdimësi në shumë arritje është interesimi për fenomenet aktuale socio-kulturore, pra në rishqyrtimin e marrëdhënieve midis Evropës dhe Ballkanit, d.m.th. Evropa vs Maqedonia.

 

Stole Popov

 

Filmi i parë i realizuar në Republikën e Maqedonisë pas pavarësisë ishte “Tatuazhi” i regjisorit Stole Popov, djali i një prej themeluesve të kinematografisë së organizuar maqedonase pas Luftës së Dytë Botërore – regjisori i dokumentarëve dhe gjithashtu regjisori i filmave artistikë Trajçe Popov. Stole Popov është një regjisor që la gjurmë mbresëlënëse në kinematografinë e Maqedonisë që nga periudha komuniste. Gjegjësisht, pas fillimit të suksesshëm me tre dokumentarë të shquar, të shpërblyera në kornizat jugosllave: “Zjarri” në vitin 1974, “Australia, Australia” në vitin 1976 dhe veçanërisht “Dae” në vitin 1979, që ishte shpërblyer me çmim edhe në Oberhausen të Gjermanisë, i cili edhe sot e kësaj dite mbeti filmi i vetëm dokumentar maqedonas që për çmimin “Oskar” arriti të futet mes pesë kandidatëve fitues për realizime dokumentare, Stole Popov, në vitin 1981, bazuar sipas prozës dhe skenarit të shkrimtarit Tashko Georgievski, realizoi filmin me metrazh të gjatë artistik “Kali i Kuq”, kurse në vitin 1986 me skenarë të skenaristit të famshëm serb Gordan Mihiq, krijoi një nga filmat më të mirë në historinë e filmit maqedonas deri në ditët e sotme. Filmi i famshëm “Gëzuar viti 49”, paraqet një dramë të jashtëzakonshme e cila në mënyrë të rafinuar rrëfen historinë e jetës në Maqedoni në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e trazuar të rezolutës famëkeqe të Informbyrosë.

Kështu, Stole Popov në të vërtetë është një nga krijuesit e rrallë të filmit maqedonas që krijuan para dhe pas rënies së komunizmit. Në vitin 1991 vijoi filmi “Tatuazh”, një histori “burgu” për një njeri të pafajshëm, film i punuar me skenar nga shkrimtari malazez Mirko Kovaç dhe ndoshta një nga filmat më të popullarizuar maqedonas deri më sot, fjalët e të cilit kanë hyrë e janë bërë pjesë e fjalimit të përditshëm. Për këtë film, në vitin 1997, në librin e tij “Filmi Maqedonas”, filmologu rus dhe njohësi i shkëlqyeshëm i kinematografisë maqedonase, Miron Çernjenko, do të shkruaj se “filmi i Popovit nënvizoi menjëherë linjat jo vetëm nën artin e filmit të Republikës së Maqedonisë, por edhe nën vetë problematikën e historisë jo të largët si lëndë e përfaqësimit dhe kërkimit artistik. Sidoqoftë, ai na sjell në agimet e para të vetëdijes së filmit maqedonas nën kushtet e reja ”(Çernjenko: 186).

Deri sot, Stole Popov realizoi edhe dy filma të metrazhit të gjatë, në vitin 1997, me skenar të Vlladimir Bllazhevskit, filmi “Xhipsi Mexhik”, pastaj, për shkak filmave të Kosturicës, tema aktuale me “jevgj”; dhe në vitin 2014, pas pauzës shtatëmbëdhjetëvjeçare, një ndër projektet më të shtrenjta në historinë e deritanishme të filmit maqedonas, shikuar sipas parametrave të produksionit, paraqet një nga arritjet më të larta të kinematografisë maqedonase, parodia tre orëshe postmoderniste të së kaluarës nga koha e komitëve dhe epokës së Ilindenit, fimli “Do Balçak” (Deri në asht), punuar pas njëzet e disa vitesh sipas skenarit të vjetër të dramturgut Goran Stefanovski.

 

Branko Gapo

 

Branko Ivanovski – Gapo, përskaj Stole Popovit, Dimitrie Osmanliut, Kole Angelovskit dhe Vlladimir Bllazhevskit, është një emër që ka realizuar filma në Maqedoni para dhe pas rënies së komunizmit. Branko Gapo është autori më i frytshëm i filmit maqedonas kur bëhet fjalë për filmat artistikë të metrazhit të gjatë. Gjegjësisht, në epokën e komunizmit ai ishte një nga autorët më të privilegjuar që arriti të realizojë madje pesë filma artistikë, kryesisht në tema historike të së kaluarës: “Ditët e tundimit” në vitin 1965, sipas tekstit dramaturgjik “Të zezat” nga Kole Çashule, një film mbi vrasjen e Gjorce Petrovit në Sofje; rebeli i “valës së zezë”, “Kohë pa luftë” e vitit 1969, shkruar sipas skenarit të autorit Simon Drakull; “Shkrepje”, e vitit 1972, bazuar në prozë dhe skenar të Dimitar Solev, film për vrasjen e inspektorit policor bullgar Emanuel – Mane Maçkov në Shkup, gjatë Luftës së Dytë Botërore; pastaj, me siguri arritja e tij më e mirë, filmi “Rruga më e gjatë”, punuar sipas prozës dokumentare “Nga Debarca në Diar-Bekir dhe prapa”, me skenar nga shkrimtari Petre M. Andreevski, një afresk historik për të dënuarit e epokës së Ilindenit; dhe filmi “Koha, ujëra”, sipas prozës dhe skenarit të Jovan Strezovskit, një histori epike imagjinare që në mënyrë kronologjike tregon historinë e banorëve të dy fshatrave të Maqedonisë perëndimore gjatë okupimit serb në Mbretërinë e Jugosllavisë, pastaj qeveria fashiste italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, e deri në qeverinë komuniste jugosllavo / maqedonase pas luftës.

Në periudhën pas rënies së komunizmit, Branko Gapo realizoi vetëm një film artistik, filmin e tij të gjashtë dhe të fundit me metrazh të gjatë, melodramën e vitit 1993 “Saga maqedonase”, me skenar nga shkrimtari Simon Drakull, film për të cilin në 1997, kritiku i njohur rus i filmit Miron Çernjenko do të shkruajë se është një lloj “lidhje dashurie tragjikisht e pamundur” sipas modelit të Romeos dhe Zhulietës,  një nga më të dhimbshmet në botë, sepse dihet që nuk ka asgjë më fatkeqe sesa “Historia e Romeos dhe Zhulietës”, veçanërisht nëse ato janë të ndarë jo vetëm nga paragjykimet e klasës shoqërore, të cilat është e mundur të tejkalohen edhe në mjedise të tilla patriarkale, sikur që është Maqedonia malore, në zonat e së cilës zhvillohet tregimi i filmit, por me boshllëkun, me skajin e konfliktit etno-konfesional që rri në pritë … “. (Çernjenko: 187).

 

Dimitrie Osmanli

 

Dimitrie Osmanli, si dhe Branko Gapo, karrierën e tij si regjisor teatri dhe filmi e ndërtoi kryesisht në sistemin e mëparshëm politik, kurse pas rënies së komunizmit dhe pavarësisë së vendit ai bëri vetëm një film artistik.

Përkatësisht, ai ishte regjisori i parë i diplomuar i teatrit nga Maqedonia dhe regjisori i parë nga Maqedonia që mori një mundësi për të realizuar një film artistik me metrazh të gjatë: “Verë e qetë”, në vitin 1961, film i cili njëkohësisht paraqet edhe komedinë e parë maqedonase, ngjarjet e së cilës zhvillohen në brigjet e liqenit të Ohrit. Deri atëherë, nga viti 1952 deri në vitin 1961, filmat maqedonasë u prodhuan nga mysafirë prej republikave tjera jugosllave me kinematografi më të zhvilluar: Voisllav Nanoviq, France Shtiglic, Zhika Çukuliq, Zhika Mitroviq, Branko Bauer.

Pas komedisë “Verë e qetë”, punuar me skenar nga shkrimtarja e Beogradit, Frida Filipoviq, Dimitrie Osmanli, si regjisor që merret ekskluzivisht me tema bashkëkohore, në vitin 1967, me skenar nga shkrimtarët Jovan Boshkovski dhe Tashko Georgievski, realizuan dramën psikologjike, impresive “Memento”,  frymëzuar nga tërmeti katastrofal i vitit 1963 në Shkup; dhe drama sociale “Zhed” (Etja) në vitin 1971, shkruar nga shkrimtari Zhivko Çingo.

Pas rënies së komunizmit, Dimitrie Osmanli në vitin 1995 realizoi melodramën “Engjëjt në mbeturina”, me skenar nga djali i tij, shkrimtari Tomisllav Osmanli, film që pasqyron situatën kalimtare në të cilën shoqëria maqedonase u gjend në atë periudhë. Duke interpretuar filmin, filmologu Miroslav Çepinçiq do të shkruaj: “Kërkimi për të kaluarën, kërkimi i kuptimit të humbur të jetës, në këtë dramë filmi ka një funksion udhëheqës, rreth të cilit dhe mbi të cilin T. Osmanli dhe D. Osmanli përpiluan me përpikëri këtë panoptikum të margjinalizuar me fatet ekzistuese dhe ato të humbura. Hapësira e ekzistencës së tyre janë ndërtimet pa leje pranë deponisë së qytetit, në një peizazh depersonalizues dhe tërësisht të dehumanizuar” (Çepinçiq: 318).

 

Kole Angellovski

 

Aktori popullor, në kornizat jugosllave dhe kryesisht regjisori i teatrit, Kole Angellovski, qysh në vitin 1973, në kulmin e popullaritetit të tij aktrues, mori një shans, me skenar të tij sipas prozës së Zhivko Çingos, për të realizuar filmin e tij të parë artistik të metrazhit të gjatë, drama e jashtëzakonshme familjare me ngjyrë bardh e zi “Baba (Jemi të  mallkuar Irina)”, pa dyshim një nga filmat më të mirë në historinë e kinematografisë maqedonase.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1988, sipas tekstit popullor dramaturgjik të Mile Popovskit, i cili gjithashtu shkroi skenarin, ai e drejtoi regjinë e komedinë e shquar “Uikendi i të vdekurve” me një ansambël  mbresëlënës akterosh nga Jugosllavia e atëhershme, filmi i fundit maqedonas që do të realizohej në epokën e komunizmit.

Njëzet vite pas këtij filmi, në viin 2017, Kole Angellovski realizoi filmin e tij të parë artistik pas rënies së sitemit komunist, komedija “Ah dashuria ime”, sipas tesktit të tij dramaturgjik, i cili suksesshëm u shfaq në skenë, me ambicje që ta kthejë komedinë në ekranin e filmit, por edhe pse ishte i qartë qëllimi i mirë, cilësia e filmit të tij të parë “Babai”, deri më sot mbetet i patejkalueshëm.

 

EPOKA E RE

 

Milço Mançevski

 

Milço Mançevski padyshim është emri i regjisorit më të njohur që ka dalur nga Maqedonia dhe autori më i afirmuar në nivelin ndërkombëtar. Arsye për këtë, padyshim është suksesi i filmit të tij të parë artistik “Para shiut”, i vitit 1994, punuar me skenar nga vetë ai, tregim që profetizonte konfliktin etnik midis maqedonasve dhe shqiptarëve, i cili për shkak temës aktuale, por padyshim edhe nga mjeshtria e regjisorit dhe kualitetit të filmit, u shpërblye me çmimin “Luani i Artë” në festivalin e filmit në Venecia, në vitin 1995, kurse po të njëjtin vit për pak e humbi çmimin “Oskar” si filmi më i mirë nga një vend jo anglishtfolës nga filmi “Të djegur nga dielli” i Nikita Mihallkovit dhe deri më sot mbetet filmi maqedonas artistik i vetëm që arriti në mesin e pesë më të mirëve në këtë garë prestigjioze të filmit.

Me filmin e rradhës “Pluhuri”, punuar me skenarë nga vetë ai, në vitin 2001, Millço Mançevski vetëm se e konfirmoi reputacionin e emrit më interesant në kinematografinë maqedonase. Së këndejmi, nuk është për t’u habitur që pikërisht në filmin “Pluhuri”, filmi i parë  maqedonas i zhanrit “eastern” me Xhosef Fajns në rolin kryesor, domethënë, metafiksioni historiografik, një parodi e shquar e këtij zhanri nga koha e komitëve, tregimi i së cilës ka ngjashmëri me skenarin e filmit të mëvonshëm “Do Ballçak”, (Deri në asht) e që iu dha nderi të bëjë hapjen e festivalit në Venecia. Ky film rishikon marrëdhëniet midis historisë dhe realitetit, por njëkohësisht, në një mënyrë postmoderne, me gërshetimin e kohërave narrative, është dekonstruktuar mënyra në të cilën tregohen ngjarjet.

Pas filmit “Pluhuri” i cili padyshim është arritja më e madhe në karrierën e tij, dhe me siguri, nga këndvështrimi filmik ngjitet në majat e historisë aktuale të filmit maqedonas, Mançevski, i cili jeton dhe punon në SHBA, me skenaret e tij realizoi drama psikologjike më pak të suksesshme, për shembull “Hijet”, në vitin 2006, në të cilin drejtor i fotografisë është kinematografi i famshëm italian Fabio Çanketi; pastaj “Nënat”, në vitin 2010, filma që rishqyrtojnë marrëdhëniet e ndërlikuara ndërnjerëzore. Në filmin “Nënat”, një film triptik i përbërë nga tre njësi narrative, ku Mançevski përveç dy pjesëve artistike, futi një rrëfim dokumentar me temën e atëhershme aktuale: vrasësi serial maqedonas nga Kërçova.

Në vitin 2017 Millço Mançevski, në SHBA, realizoi filmin e tij tanimë të fundit, përrallën urbane të Nju Jorkut “Bikini Mun”, por në këtë film nuk kishte bashkëprodhues maqedonas.

 

Antonio Mitriqeski

 

“Përtej liqenit” është filmi i parë i Antonio Mitriqeskit, realizuar me skenarë nga shkrimtari Tashko Georgievski në vitin 1997 dhe është një ndër filmat e rrallë maqedonas i cili merret me shqyrtimin e qeverisë komuniste në Shqipëri! Gjegjësisht, filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë, për të cilën regjisori Mitriqeski në vitin 1991 kishte realizuar edhe film dokumentar  – “Dashuria e Koço Topençarovit”, dhe rrëfen tregimin romantik në të cilin roli kryesorë, për shkak të dashurës së tij largohet nga vendlindja Ohri, dhe shkon në Shqipëri, ku nën dyshimin se është spiun jugosllav, përfundon në burgjet famëkeqe të Enver Hoxhës.

Filmi i dytë tejet ambicioz i Mitriqeskit, “Si ëndërr e keqe” në vitin 2003, realizuar nga një tekst dramaturgjik dhe me skenar të Dejan Dukovskit, funksionon veçanarishtë si një lloj eseje me intonime kritike filmike me temë: marrëdhëniet Ballkan (Maqedoni) – Europë, dhe përmes teknikave të pasqyrimit të subjektit në Tjetrin, këto marrëdhënie vazhdimisht lexohen përmes njëra-tjetrës. Në këtë film, përmes dy rrjedhave narrative të cilat gërshetohen në një moment dhe pastaj përsëri veçohen, tregimi i filmit, përmes personazheve tipik të përgjithshëm, flet për luftërat vëllavrasëse në Ballkan, por njëkohësisht rishqyrton rolin e Evropës moderne në të, si dhe pyetjen e ndërgjegjes evropiane në këtë raport. Njëkohësisht në mënyrë metaforike thekson qëndrimin kolonial të Evropës moderne ndaj Ballkanit dhe Maqedonisë.

Filmi i tretë dhe deri tani i fundit i Mitriqeskit, drama sociale “Fëmijët e diellit” në vitin 2014, realizuar me skenar të tanimë të njohurit, skenaristit serb Gordan Mihiq, nuk i plotësoi pritjet e publikut, por do të mbetet i vërejtur kryesisht fotografia mjeshtërore e kinematografit polak Jarek Shoda.

 

Ivo Trajkov

 

Ivo Trajkov është një producent dhe regjisor që prej kohësh jeton në Republikën Çeke, ku ka realizuar një numër të madh shfaqjesh artistike dhe projekte televizive të mirëpritura. Në vitin 2004, ai bëri filmin e tij të parë artistik maqedonas, “Uji i Madh”, bazuar në një roman të Zhivko Çingos dhe me skenar nga Vlladimir Bllazhevski, i cili fitoi çmimin “Palma e Artë” në festivalin e filmit në Valencia.

“Uji i madh” është një nga filmat e rrallë maqedonas që merret me rishqyrtimin kritik të së kaluarës komuniste edhe atë përmes syve të një djali nga një jetimore. Ky film, përmes një rrëfimi realist, tregon historinë e luftës së përjetshme midis së mirës dhe së keqes, e paraqitur këtu përmes përplasjes së shoqërisë staliniste dhe dëshirës për “ujë të madh”, një metaforë për dëshirën ndaj lirisë së njeriut, e shtypur nga format çnjerëzore të vetëdijës mbizotëruese shoqërore.

Pas suksesit të madh të filmit “Uji i Madh”, Ivo Trajkov realizoi një bashkëproduksion gjermano-maqedonas dhe tre çeko-maqedonase: filmi simpatik “udhëtues” bardhë-zi (road movie) “Film” në vitin 2007, me skenar të tij; drama metafizike “Soditje” në vitin 2009, me skenarë nga Ivan Arsenjev dhe Jan Stehlik, bazuar në një tregim të shkrimtares çeke Bozhana Nemcova; bashkëprodhimi gjermano-maqedonas i realizuar në Berlin, i xhiruar në dukje në një kornizë veprimi, të gjatë, dinamik, aksion, nëntëdhjetë minutësh, me titull “Projekti i Berlinit”; dhe deri më tani filmi i fundit, “Nata e mjaltit”, në vitin 2015, sipas romanit të shkrimtarit çek Jan Prohaska, paraqet një satirë filmike që në një mënyrë specifike rishikon të kaluarën komuniste në Maqedoni.

 

Vlladimir Bllazhevski

 

Vlladimir Bllazhevski është regjisori më i ri nga ata që filmuan para dhe pas rënies së komunizmit. Ai jeton dhe punon në Beograd dhe në vitin 1987, me skenar nga vetë ai, bazuar në tekstin dramaturgjik të Goran Stefanovskit, realizoi dramën urbane të shumëshpërblyer në korrnizat jugosllave, për përplasjen e brezave: “partizanë” dhe “rokerë” – “Haj faj”. Që atëherë, kanë kaluar njëzet e katër vite, deri sa atij iu dha mundësia që të bënte përsëri një film artistik në Maqedoni, megjithëse në Serbinë fqinje, me skenar të tij, në vitin 1992 ai realizoi filmin “Bulevardi i Revolucionit”.

“Panku nuk është i vdekur” është komedi e zezë/road movie nga viti 2011, punuar me skenar nga Bllazhevski, film i cili përmes diskursit realist hap disa tema aktuale në shoqërinë maqedonase për disa pankerë në moshë: realiteti i tranzicionit, margjinalizimi i subkulturës, marrëdhëniet ndëretnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe sjellja e përfaqësuesve të të ashtuquajturve “komuniteti ndërkombëtar” në Maqedoni. Në vitin 2018, Bllazhevski realizoi filmin e tij të fundit artistik, bashkëprodhimin maqedono-serbo-slloveno-kosovar “Viti i majmunit”, një satirë politike me humor të zi që tallet me aktualitetin politik.

 

Darko Mitrevski dhe Aleksandar Popovski

 

Darko Mitrevski dhe Aleksandar Popovski bënë debutimin e tyre së bashku në ekranin e madh, në vitin 1993, me omnibus-filmin studentor “Dritë e hirtë”. Në  vitin 1998, përsëri realizuan bashkë filmin postmodern, fantastiko-shkencor,  “Lamtumirë shekullit 20”, me çka vazhduan të bëhen të pavarur.

Darko Mitrevski në vitin 2004, me skenarë të tij, realizoi një parodi postmoderniste të Ballkanit të çmendur, filmin “Ball-kan-kan”, një komedi tragjike alegorike “udhëtimi” (road movie) shumë e dashur për audiencën, dhe në të njëjtën kohë një film kërkues “quest”, përmes një rrëfimi humoristik, postmodern, plot referenca intertekstuale për realitetin apo tekstet e kulturës, si dhe citate nga bisedat filmike të shumë filmave, tregohet për historinë e shteteve dhe popujve të ballkanit në shekullin XXI, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe mbarimit luftërave të reja në Ballkan, në një kohë të erozionit moral dhe vlerave etike e humbjes së shumë krenarive njerëzore.

Në vitin 2012, Darko Mitrevski, me skenar të  tij, i frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, realizoi filmin e tij të fundit deri më tani, “Pjesa e tretë”, një tregim filmik ambicioz, kompleks në dy rryma narrative, me elemente melodramatike, në temën e holokaustit, më saktë  holokausti i hebrenjve të Shkupit gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Maqedonia është pjesë e Mbretërisë së Bullgarisë, por edhe për historinë e lojës së futbollit në Maqedoni dhe fatin e trajnerit gjerman me origjinë hebraike Rudolf Shpic, i cili gjatë asaj periudhe banon në Shkup. Filmi “Pjesa e tretë”, ndër të tjera, shkaktoi një bujë të madhe mediatike në publikun bullgar për shkak të, sipas pretendimeve lokale, prezantimit tendencioz dhe të njëanshëm të ngjarjeve historike.

Pikërisht ky film, “Pjesa e tretë”, në vitin 2012 hapi edicionin e 33-të të festivalit më të famshëm dhe më me ndikim në Maqedoni, festivalin ndërkombëtar të kamerës filmike “Vëllezërit Manaki” në Manastir, kurse festivali u mbyll me filmin e parë të xhiruar dhe deri më tani i vetmi film i pavarur i metrazhit të gjatë nga regjisori i teatrit Aleksandar Popovski, filmi “Ballkani nuk është i vdekur”, bazuar në tekstin dramaturgjik popullor të Dejan Dukovskit, i cili është edhe skenaristi i versionit të filmit. Filmi “Ballkani nuk ka vdekur” në stilin postmodernist tregon historinë e mbarimit të sundimit të osman në Ballkan, por edhe  pse krejtësisht me vetëdije, skenat teatrale dhe zgjidhjet skenografike i zëvendësojnë hapësirat reale të filmit, megjithatë filmi nuk arrin të shpëtojë nga matrica teatrale.

 

Mitko Panov

 

Mitko Panov është  regjisor filmi që jeton dhe punon në Zvicër për një kohë të gjatë. Pas realizimit të shumë dokumentarëve dhe filmave të shkurtër, në vitin 2009, Mitko Panov më në fund mori një shans për të realizuar filmin e tij të parë artistik, me skenar të tij, filmi “Lufta mbaroi”, një dramë familjare tërësisht në gjuhën shqipe, e përqendruar në marrëdhëniet Evropë-Ballkan, përmes historisë së një familje emigrantësh kosovarë në Zvicër.

Në vitin 2018, Mitko Panov, përsëri me skenar të tij, realizoi filmin e tij të dytë artistik, bashkëprodhim maqedono-zvicerano-irlandez të mbështetur nga “Euroimazh”, dramë-aksion “Më prit/ dëshmitar”, me aktorin Bruno Ganc në një nga rolet kryesore, i cili përsëri merret me rishqyrtimin e marrëdhënies Evropë-Ballkan (Maqedoni), përmes historisë së një punonjësi të gjykatës së Hagës që dëshiron të ndjek drejtësinë në Ballkan, dhe është i ngatërruar në marrëdhënie të ndërlikuara shoqërore dhe private.

 

Teona Strugar Mitevska

 

Teona Strugar Mitevska është një nga dy zonjat në listën tonë të regjisorëve maqedonasë që kanë realizuar filma artistikë me metrazh të gjatë, edhe jo një, por katër realizime mbresëlënëse.

Në bashkëpunim me motrën e saj Llabina Mitevska, aktorja që u bë e famshme për rolin e saj në filmin “Para shiut” të Millço Mançevskit, e cila përveç aktrimit, njëkohësisht është edhe producente e të gjitha projekteve të saj. Teona Mitevska në vitin 2004 realizoi projektin e saj të parë, filmin “Si e vrava shenjtorin”, një dramë familjare urbane për një familje të klasës së mesme në Shkup, në fillim të shekullit XXI, e cila shërben si shëmbëlltyrë e tmerreve të jetës në një shoqëri kalimtare etnikisht të ndarë në kohën e luftës etnike, ku mbizotëron gënjeshtra, morali i rrejshëm, korrupsioni, dhuna dhe vrazhdësia. Filmi mbështetet në modelin e kritikës antikoloniale dhe është pjesërisht i përshtatur në kontekstin e disa ngjarjeve reale nga viti 2001: vrasje me pllakë betoni e një ushtari të NATO-s, lufta me guerilën shqiptare në territorin e Maqedonisë, transferimi i relikteve të Shën Klimentit të Ohrit, etj.

Filmi i dytë i Teona Mitevskës, “Unë jam nga Tito Velesi”, nga viti 2007, me skenar nga vetë ajo, është një histori filmike lirike familjare për tre motra nga qyteti i Velesit dhe zhvillohet në vitet e nëntëdhjeta tranzicionale të shekullit të kaluar, në mjedisin e historisë së vërtetë  për “Zehëroren” në Veles, e cili ka vite që ndot ajrin dhe rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve.

Filmi i tretë i Teona Mitevskës, “Gruaja që fshiu lotët”, nga viti 2012, punuar me skenar të saj, me Viktoria Abril në rolin kryesor, është shembull i shprehjes femërore filmike dhe është një histori për dy gra, nënat, të cilat vijnë nga një mjedis kulturor të ndryshëm dhe botët e të cilave, në një mënyrë të papritur, gërshetohen.

Filmi i katërt dhe deri më tani i fundit, Teona Mitevskës, “Dita që nuk kishte emër”, punuar me skenarë nga regjisorja Mitevska dhe skenaristja boshnjake Elma Tataragiç, frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, tregon rrëfimin sugjerues të vrasjes deri më tani të pashpjegueshme të katër adoleshentëve në Shkup, përballë festës së Pashkëve në vitin 2012.

 

Igor Ivanov – Izi

 

Igor Ivanov – Izi, pas realizimit të disa shfaqjeve dhe serialeve televizive, filma të shkurtër dhe dokumentarë, në vitin 2007 realizoi filmin e tij artistik, “Prevërteno” (Përmbysur), sipas prozës së Venko Andonovskit me të cilin është bashkëautor i skenarit. “Përmbysur” është një histori urbane me elemente fantastike për jetën e të rinjve në Shkup, në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në periudhën e fillimit të tranzicionit, i cili përfshin disa elemente që janë një simbol i kulturës pop: muzika rok, karikatura, përdorimi i drogave të lehta – dhe hulumton ndikimin totalitar të politikës në jetën e të rinjve, ku këtu përfaqësohet përmes insistimit për anëtarësimi të personazhit kryesor në pushtetin imagjinar, Partisë së frymës kombëtare.

Filmi i tij i dytë dhe deri më tani i fundit, “Dhoma me Piano”, nga viti 2013, punuar sipas tekstit dramaturgjik të Zhanina Mirçevskës, e cila së bashku me regjisorin është bashkëautore e skenarit, paraqet një histori me kamerë që zhvillohet gjatë një dekade në fillim të këtij shekulli, në një dhomë hoteli me piano në Shkup. Në tre cikle narrative mund të gjurmohet shpalosja e tregimeve të jetës së protagonistëve.

Svetozar Ristovski

 

Svetozar Ristovski jeton dhe punon në Kanada. Filmin e tij të parë artistik me metrazh të gjatë “Iluzion”, të bashkëshkruar me partnerin e tij Grejs Lija Trozhe, e realizoi në vitin 2004. Historia në filmin “Iluzion”, përmes personazhit të një djali të vetmuar trembëdhjetë vjeçar, tregon se si mjedisi i tmerrshëm kalimtar në një qytet provincial, ku zhvendosen të gjitha vlerat njerëzore, ndikon tek individët, kështu që një djalë i qetë, një poet i talentuar, shndërrohet në një hajdut dhe vrasës.

Pas filmit të parë maqedonas, Svetozar Ristovski në vitin 2010 në Kanada, pa një bashkëprodhues maqedonas, realizoi filmin e tij të parë kanadez, filmin “I nderuar z. Gejsi”, një histori për vrasësin serik Xhon Vejn Gejsi, bazuar në kujtimet e memoareve.

Në vitin 2015, përsëri në bashkpunim me Grejs Lija Trozhe, Svetozar Ristovski realizoi filmin e tij, deri më tani të fundit “Llazar”, dramë në të cilën edhe një herë portretizohet jeta e shoqërisë maqedonase të margjinalizuar nga skaji i tranzicionit, në kohën e krizës së refugjatëve që kaploi vendin dhe gjithë Evropën.

 

Aleksandar Stankovski

 

Aleksandar Stankovski është fotograf i njohur dhe autor i vizatimeve karikatureske, i cili është edhe  autor i disa video dhe projekteve televizive, filma të animuar, si dhe dy filma artistikë eksperimentues të metrazhit të gjatë, të punuara me skenar nga vetë ai: parodi e trilerit spiun “Maklabas” në vitin 1998; dhe udhëtimi i përfytyruar nëpër periudha historike përmes aktrimit dhe animacionit në filmin “Samiti i Shamanëve” në vitin 2004.

 

 

 

 

 

FILMI I VETËM

 

Është dukuri e shpeshtë në kinematografinë maqedonase që regjisorët presin me vite të tëra mundësinë për të realizuar filmin e tyre të parë artistik. Prandaj, shumë autorë mbeten vetëm në një film të realizuar me një të ardhme plotësisht të pasigurt për filmin e tyre të dytë me metrazh të gjatë.

Në vitin 2005, Sergej Stanojkovski, pas disa filmave të shkurtër dhe filma dokumentarë, me skenar nga vetë ai, bëri filmin e tij të vetëm deri më tani, “Kontakt”, një histori dashurie jotipike mes dy të rinjve, totalisht të huaj dhe  krejtësishtë të pa adaptuar në shoqëri, njëri i sapo liruar nga burgu dhe tjetra sapo kishte dalur nga një spital psikiatrik, të cilët pas gërshetimit të rrethanave ata bashkohen dhe dashurohen.

Në vitin 2006, regjisori i teatrit Vllado Cvetanovski, me skenarë nga vëllezërit e tij Ljube Cvetanovski dhe Jordan Plevnesh, realizoi filmin e tij të vetëm artistik, “Libri Sekret”, film i ashtuquajtur (road movie), film i kërkimit, në të cilin përmes një thyerje, fragmentarizmit, narracionit postmodernist, i karakterizuar nga një lloj hibridizimi poligjen, (pseudo)citim dhe herë pas here – parodizim, tregohet ngjarja që shtrihet në dy kohë të ndryshme që lexohen njëra mbi tjetrën: ballkanik (maqedonas) dhe evropian (francez) Mesjeta franceze, përmes referencave për mësimet e fshehta të bogomilëve, manihejët dhe katarët; dhe ballkanik (maqedonas) e evropian (francez) në shek. XXI (dhe shek. XX), përmes aludimeve të gjeopolitikës ballkanike dhe botërore, përkatësisht instalimit të misioneve ushtarake ndërkombëtare në Ballkan dhe rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në krijimin e politikave botëroe dhe Ballkanike, në mënyrë metaforike tregohet historia e kërkimit të përjetshëm për njerëzit e përkushtuar pas “librit të fshehtë”, i cili, siç sjellin përfundim protagonistët në fund të filmit, mund të gjendet vetëm se në zemrën e njeriut.

Aneta Leshnikovska është producente dhe regjisore që jeton dhe punon në Hollandë. Filmi i saj  i vetëm i realizuar deri tani si regjisore, me skenar nga vetë ajo, është “A dhemb vallë?” i vitit 2007, film që ka nëntitullin “Dogma e parë Ballkanike”, film eksperimental me buxhet të vogël, i cili sipas principeve estetike të manifestit “Dogma ’95”, përmes një numri të madh improvizimesh të aktrimit, tregohet një histori në të cilën eksplorohen aspektet e krijimit të filmit dhe miqësisë.

Sasho Pavllovski, producent dhe regjisor i disa dokumentarëve dhe filmave televizivë, në vitin 2011 bëri filmin e tij të parë artistik me metrazh të gjatë dhe deri më tani të vetëm, me titull “Ky nuk është një film amerikan”, postmodernist, vetë-referencial, metafizik, parodi metakinematike, pjesërisht e transmetuar në mënyrën “off” ton, i cili eksploron procesin e narracionit të filmit dhe përdorimin e teknikave të filmit, në veçanti montazhit, por edhe aftësi aktrimi dhe skenarizimi, në krijimin e tregimit të filmit, por protagonistët në film janë të vetëdijshëm për veten e tyre, gjegjësisht e dinë që janë personazhe në film dhe sillen në përputhje me të.

Skenaristi dhe TV-regjisori, Sllobodan Despotovski, pas shumë vite pritjeje të filmit të tij të parë, në vitin 2015, me skenar nga vetë ai, realizoi dramën psikologjike “Fjala”.

Goran Trençovski, i njohur kryesisht si regjisor i teatrit, por me një opus të lakmueshëm të filmave të shkurtër, dokumentarë dhe filma televizivë, në vitin 2016, me skenar të punuar nga shumë skenaristë, e inspiruar nga proza e Bratisllav Tashkovskit, shkruar sipas një ngjarjeje të vërtetë – likuidimi i pesë studentëve të Strumicës, mbështetës të VMRO-së dhe idesë për pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1951 – realizoi filmin e tij të parë artistik dhe deri tani të vetëm “Pesëshja e artë”, një paraqitje e pazakonshme për publikun, filmi i parë në historinë e filmit maqedonas që adreson në mënyrë të qartë çështjen e krimeve të kryera nga qeveria e atëhershme jugosllave, njëkohësisht duke trajtuar edhe temën e tradhtisë, është edhe filmi i parë i cili diskuton nevojën midis palëve kundërshtare – e majta dhe e djathta në lëvizjen nacionale politike maqedonase.

 

REGJISORË-MYSAFIRË

 

Në periudhën e komunizmit në Maqedoni, si regjisorë-mysafirë, veçanërisht në fazën e parë të kinematografisë institucionale, vijnë më shumë emra nga fqinjët, republikat jugosllave. Pas pavarësisë së vendit, u praktikua kohë pas kohe që në filmat maqedonasë të kemi mysafirë nga Evropa. Kështu, në vitin 1996, regjisori nga Turqia, Erbill Atanaj, me skenar nga shkrimtari dramaturgjik Sashko Nasev, realizoi tragjikomedinë urbane, dramën sociale “Vetëshkatërrimi”, i cili përmes personazhëve të individëve të margjinalizuar nga periferitë e Shkupit, edhe një herë hulumtoi shpërbërjen e familjes në shoqërinë tranzicionale.

Në vitin 2001, regjisori belg Jan Hintens, me skenar të Sllobodan Despotovksit, në bashkëprodhim maqedono-belg realizoi filmin “Hakmarrje”, në të cilin hulumton marrëdhëniet e Evropës perëndimore me traditën ballkanike të hakmarrjes së gjakut, e vjetër ndër shekuj, por njëkohësisht hulumtohet edhe (pa)mundësia për tu kuptuar midis dy kulturave të ndryshme: evropiane dhe ajo ballkanike. Filmi, përmes dy rrjedhave narrative, duke hulumtuar problemin e njerëzores dhe jonjerëzores, besimit, tradhtisë e hakmarrjes, paralelisht tregon dy ngjarje të cilat zhvillohen në dy kohë të ndryshme të narracionit: në të tashmen e narracionit, një i ri turk nga Maqedonia vjen në Bruksel me qëllimin që të hakmerret për vrasje të bërë më herët, kurse në kohën e kaluar të narracionit hulumtohen aspketet etnike, sociale, fetare, politike, por edhe njerëzore midis dy vëllezërve të varfër maqedonasë, krishterë dhe tre vëllezër të pasur turq, myslimanë, në kohën e sundimit Osman në Maqedoni.

Në vitin 2016, aktori i famshëm kroat Rade Sherbexhija, i cili edhe më herët si aktorë mori pjesë në shumë filma artistikë maqedonasë, së bashku me djalin e tij, Danillo Sherbexhija, sipas tekstit dramaturgjik të shkrimtarit slloven të dramaturgjisë dhe regjisorit të teatrit Dushan Jovanoviç, i cili gjithashtu është edhe bashkëautor i skenarit, realizoi filmin artistik “Çlirimi i Shkupit”, në bashkëpunim maqedono-kroato-finlandez, edhe një film i cili trajton holokaustin e hebrenjve të Shkupit në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

 

GJENERATA MË E RE

 

Nga gjenerata e re e regjisorëve maqedonasë të cilët deri tani kanë realizuar nga një film artistik të metrazhit të gjatë, duhet të përmenden Shqipe Duka, e cila me skenar të saj në vitin 2010 realizoi filmin “Babai“, i cili hulumton marrëdhëniet patriarkale në një familje shqiptare nga Maqedonia; Arben Kastrati i cili me skenar të tij realizoi filmin “Toka midis kufinjve”, që hulumton marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në dekadën e fundit të qeverisjes së komunizmit; dhe Kastriot Abdyli, i cili në bashkëpunim maqedono-kosovar realizoi filmin “Kthimi”, në vitin 2015, përmes portetizimit të familjes shqiptare nga Maqedonia, e cila kohë të gjatë kishte qëndruar në Gjermani, hulumton gërshetimin e të vjetrës dhe të resë, tradicionales dhe modernes, perendimores dhe ballkanikes.

Në vitin 2012, një numër i madh i regjisorëve të rinj realizuan filmin omnibus për qytetin e Shkupit, “Shkupi-Remiks”, i përbërë nga nëntë storie filmike të pavarura, në të cilat, përmes poetikave të ndryshme, në mënyrë kuazi-komike dhe kuazi-humor të zi tregohen ngjarje për mjedisin urban të qytetit, kurse emëruesi i tyre i përbashkët është dashuria, por edhe kulti radio e qytetit Kanal 103.

Tre nga autorët që punuan në filmin omnibus, arritën që ti realizojnë edhe filmat e tyre të parë artistikë. Kështu, Darijan Pejovski, me skenar të tij shkruar në bashkëpunim me Igor Ivanov – Izi, në vitin 2015 realizoi trilerin psikologjik, që i hulumton implikimet nga familja dhe përdhunimi sesksual “Tre ditë në shtator”; Vardan Tozija, vitin e radhës 2016, me skenar të tij, realizoi dramën urbane jashtëzakonisht të zjarrtë “Xhgan”; kurse Gjorçe Stavrevski, me skenar të tij, në vitin 2018 realizoi komedinë urbane “Shëruesi”, të cilën publiku e pranoi shkëlqyeshëm.

 

BASHKËPRODUKSIONET NDËRKOMBËTARE TË PAKICAVE

 

Përskaj bashkëproduksioneve në të cilat pjesa e shumicës është e shtëpive produksionale në Maqedoni, në periudhën e pavarësisë së vendit, u realizuan shumë filma me pjesëmarrje të pakicës maqedonase.

Kështu, në vitin 1998, regjisori i famshëm serb Goran Paskaljeviq realizoi filmin “Bure Barut”, bazuar nga tekstin dramaturgjik me të njëjtin emër të Dejan Dukovskit, i cili është edhe një ndër bashkëskenaristët, në këtë film hulumtohet mjedisi i dhunshëm tranzitor në Beograd në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Në vitin 2001, regjisori i famshëm bullgar Ivan Pavllov, me shkenar të poetit dhe skenaristit të famshëm Konstantin Pavlov, realizuan bashkëproduksion bullgaro-maqedonas “Fati si miu”, dramë moderne urbane për jetën e mjerueshme në një qytet të vogël në Bullgari.

Viti i radhës 2002, regjisori i famshëm bullgar Kostadin Bonev, me skenar nga shkrimari maqedonas Mile Nedellkovski, realizoi filmin “Ngrohja e ushqimit të djeshëm”, film në të cilin në dy rrjedha narrative, në të tashmen dhe në kohën e kaluar të rrëfimit, përmes tregimit për familjen maqedonase komite me orientim pjesërisht bullgar, janë treguar ngjarjet dramatike shumë të rëndësishme për historinë maqedonqase të shekullit të 20-të: okupimi serb pas Luftës së Dytë Botërore, aneksimi bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore, veprimtaria e luftëtarëve ilegalë partizanë gjatë kohës së luftës, instalimi i pushtetit komunist pas luftës, kampet e Goli Otokut, si dhe mbijetesa nomenklaturave komuniste në pushtet edhe pas rënies së komunizmit.

Në vitin 2006, regjisori i njohur kroat Rajko Gërliq, sipas romanit të Ante Tomiqit i cili është edhe bashkëautor i skenarit, në terenin e Maqedonisë e xhiroi filmin “Karaulla”, në të cilin përpos bashkëproducentëve maqedonasë, kroatë, serbë, sllovenë dhe boshnjakë, morën pjesë edhe producentë nga Britania e Madhe dhe Austria. Filmi “Karaula” tregon ngjarjen për dashurinë e ndaluar midis luftëtarit të JNA-së dhe gruan e oficerit të JNA-së, në periudhën pak para rënies së Jugosllavisë multietnike, si dhe specifikat e mentalitetit që mbizotëronin në ushtri: militantizmi, përpjekja për të mbajtur gjallë kultin e liderit komunist Josip Broz Tito, edhe pse ai ka kohë që ka vdekur, si dhe mospajtimi i gjeneratës “Jugosllovenë”, e edukuar me shpirtin perëndimorë të rock’n’roll, që çon drejt një finale tragjike të filmit.

Në vitin 2008 u themelua Fondi i Filmit të Republikës së Maqedonisë, që më pas të ishte riemëruar Agjencioni i filmit në RM, institucion i cili edhe më shumë stimuloi hyrjen e projekteve të bashkëproducentëve. Kështu, në periudhën e viteve 2009-2018 u realizuan u realizuan më shumë bashkëproduksione ndërkombëtare me pjesëmarrje të pakicës dhe të bashkëproducentëve maqedonas.

Në vitin 2009 u realizuan filmat “Lindje-Perendim-Lindje” të regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani dhe “Normal” të regjisorit çek Julius Shefçik.

Në vitin 2010 u realizuan filamt “Sikur të mos jem” e regjisores irlandeze Huanita Vilson, komedia e jashtëzakonshme bullgare “Misioni Londër” i regjisorit Dimitar Mitovskit dhe filmi omnibus “Disa tregime më ndryshe”, në të cilat morën pjesë pesë regjisorë të Jugosllavisë së atëhershme, mes të cilëve edhe regjisorja maqedonase Marija Xhixheva.

Në vitin 2011 u realizuan filmat: komedia “Parada” e regjisorit serb Sërgjan Dragoeviq, “Në gjendje shoku” e regjisorit slloven Andrej Koshak, “Shpirti i gjyshes Illona”, i regjisorit kroat Tomisllav Zhaja, “Zoti i vogël i dashurisë” i regjisorit malazez Zheljko Soshiq dhe “J.A.C.E”, e regjisorit grek Menelaos Karamagiolis.

Në vitin 2014 u realizuan filmat “Ashtu janë rregullat” të regjisorit serb Ognjen Sviliçiq, “Inferno” të regjisorit slloven Vinko Moderndorfer, “Aktgjykim” të regjisorit bullgar Stefan Komandarev dhe “Përmendore e Majkëll Xheksonit” i regjisorit serb Darko Llungullov.

Vitin vijues 2015, u realizuan filmat “Banat” nga regjisori italian Adrijano Valerio, “Shishka de Lluks” nga regjisori slloven Jan Cvitkoviq, “Babai” nga regjisori kosovar Visar Morina dhe “Gruaja e jetës sime” nga regjisori bullgar Antonij Donçev.

Në vitin 2016 u realizuan filmat “Shtëpi e ëmbla shtëpi” e regjisorit kosovar Faton Bajraktari, “Sieranevada” e regjisorit të njohur rumun Kristi Puiu, “Harms” e regjisorit rus Ivan Bollotnikov, “Jeta e natës” e regjisorit slloven Damjan Kozole dhe “Kushtetuta e Republikës Kroate” e regjisorit të lartpërmendur Rajko Gërliq.

Në vitin 2017 u realizuan filmat “I thyer” i regjisorit shqiptar Edmond Budina, “Rekuiem për zonjën J.” i regjisorit serb Bojan Vulletiq, “Sllovenia, Australia, kurse nesër bota” i regjisorit slloven Marko Nabershnik, i jashtëzakonshmi “Drejtime” i regjisorit të lartpërmendur Stefan Komandarev dhe “Bretkosa” i regjisorit boshnjak Ellmir Jukiq.

 

PËRFUNDIM

Si përfundim mund ta përsërisim se kinematografia maqedonase prej periudhës së rënies së komunizmit, ndërrimi i sistemit politik dhe pavarësia, rritën ndjeshëm vëllimin në krahasim me periudhën e mëparshme historike, për çka ndikim më të madh ka rritja e numrit të shumicës dhe veçanarisht pakicës së bashkëproduksioneve. Më pas, vetëm disa regjisorë të sistemit të kaluar vazhduan të punojnë, kurse mundësinë për realizimin e filmave të parë fituan më shumë regjisorë të rinj. Për sa i përket temave që trajtojnë filmat, përsëri mund të vijmë në përfundim që edhe pse na mungojnë temat historike, filmat shumë pak merren me hulumtimin kritik të së kaluarës komuniste. Përkundër kësaj, theksi vihet tek modernizimi dhe portretizohen individë të robëruar në labirinthe etnike, luftarake dhe tranzitore. Padyshim, temë dominante në filmat artistikë maqedonasë në tre dekadat e kaluara është trajtimi i marrëdhënieve Evropë vs Ballkan, përkatësisht Evropë vs Maqedoni.

 

 

 

 

 

Literatura e shfrytëzuar

 

 “Filmi Maqedonas 2014-2015. Shkup. Agjencioni i Filmit Maqedonas”.

(Macedonian Films 2014-2015. 2015. Skopje: Macedonian Film Agency.)

 

“Filmi Maqedonas 2015/2016. Shkup: Agjencioni i Filmit Maqedonas”.

(Macedonian Films 2015/2016. 2016. Skopje: Macedonian Film Agency.)

 

“Filmi Maqedonas 2016/2017. Shkup: Agjencioni i Filmit Maqedonas”.

 (Macedonian Films 2016/2017. 2017. Skopje: Macedonian Film Agency.)

 

“Risitë e Filmit Maqedonas. Filmat e produksioneve/pas produksioneve  2017/2018”. (Macedonian Film NewsFilms in production/post production 2017/2018)

 

“Shkup: Agjencioni i Filmit Maqedonas”.

Skopje: Macedonian Film Agency.

 

“Çepinçiq, M. 1999. Filmi artistik maqedonas: Libri i dytë. Shkup: Kinoteka e Maqedonisë”. (Чепинчиќ, М. 1999. Македонскиот игран филмКнига втора. Скопје: Кинотека

на Македонија.)

 

“Çernjenko, M. 1997. Filmi Maqedonas. Shkup: Kinoteka e Maqedonisë”.

(Черњенко, М. 1997. Македонскиот филм. Скопје: Кинотека на Македонија.)

Leave a comment