Vizitorët e kinotekës gjithmonë “i mirëpret” e veçanta jonë “Shtëpia e të famshmëve” – muri në të cilin janë vendosur foto-portretet e doajenëve të kinematografisë maqedonase.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, më 28 janar 1943, Kinoteka vendosi edhe portretin e regjisorit dhe skenaristit Kiril Cenevski, i cili vdiq më 17 qershor të viti 2019 në Shkup.
Kiril Cenevski u angazhua profesionalisht në një film artistik për herë të parë në “Vardar Film” – Shkup, si asistent i regjisorit Ljubisha Georgievski në filmin ÇMIMI I QYTETIT, nga viti 1970, ndërsa në vitin 1971, Cenevski si regjisor i filmit debutues FARA E ZEZË, arritja e tij më e njohur dhe pa dyshim një nga filmat më domethënës në historinë e kinematografisë maqedonase në përgjithësi.
Për filmin FARA E ZEZË, një film që tregon historinë e të burgosurve maqedonas në një ishull të shkretë grek gjatë luftës civile në Greqi, Cenevski mori disa çmime në festivalet më të rëndësishme në Jugosllavi në atë kohë, dhe filmi FARA E ZEZË është gjithashtu filmi i parë artistik maqedonas, i cili morri çmime të shumta në festivalet ndërkombëtare të filmit: “Arena e Artë” për regji në festivalin më të rëndësishëm jugosllav në atë epokë – Festivalin e filmit në Pula; “Kurora e Artë” për regjisorin më të mirë debutues, gjithashtu në Pula; “Zogu i zjarrit” për regjisorin më të mirë debutues në festivalin e Moskës; “Zllaten Laçeno” për regji në Avellino; çmimin e republikës maqedonase “11 Tetori”, si dhe ishte kandidat jugosllav për “Oscar” në vitin 1972.
“Në vitin e shtatëdhjetë e një do të shfaqet në ekranet një nga arritjet më të rëndësishme filmike në filmin maqedonas për tërë historinë e ekzistencës së tij, duke përfshirë edhe sot. Është përpjekja e parë, e kurorëzuar me sukses absolut, për të pushtuar zhanrin e tragjedisë antike në material thuajse bashkëkohor, është film i jashtëzakonshëm me stil përmbledhës, humor, asketizëm të regjisë dhe aktrimit” – me këto fjalë të përzgjedhura kritiku dhe studiuesi rus i filmit, Miron Çernjenko u shpreh në librin e tij “Filmi maqedonas” (Kinetoka e Maqedonisë, viti 1997, Shkup) skicon shfqjen e Cenevskit.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm me filmin FARA E ZEZË, katër vjet më vonë, në vitin 1975, përsëri në produksionin e “Vardar Film”, pason një tjetër arritje e lartë e Cenevskit, i cili është edhe skenaristi i filmit, spektakli filmik JAD, deri më tani filmi i vetëm maqedonas me tematikë mesjetare, për të cilin merr “Çmimin Special” në Karlovy Vary.
Është një afresk historik dyorësh që pasqyron tërësisht polemikat e kohës dhe është i ngarkuar me të njëjtat stereotipe që vuan shkenca historike e epokës. Megjithëse filmi është vlerësuar si “ndërmarrja më madhështore në filmin maqedonas” (Çernjenko) dhe sipas temës, “unik si në atë maqedone ashtu edhe në kinemanë e atëhershme jugosllave” (filmologu Mirosllav Çepinçiq), megjithatë, JAD nuk arrin t’i shmang klishetë që imponon matrica shoqërore dominuese, e cila përpiqet t’i paraqesë heretikët mesjetarë – bogomilët, si luftëtarë të lirisë, një lloj “proletarësh” mesjetarë dhe kishën zyrtare si një forcë pushtuese luftarake në shërbim të Bizantit. .
Pas filmit JAD, Cenevski iu kthye filmit dokumentar dhe me skenar të poetit Ante Popovski, i cili në atë kohë qëndronte në krye të “Vardar Film”, realizoi një sërë portretesh të kurorëmbajtësve të mbrëmjeve strugane të poezisë.
Filmi LEOPOLD CEDAR SENGOR është realizuar në vitin 1975 dhe është një portret i burr-shtetasit afrikan dhe poetit nobelist, presidentit të Republikës së Senegalit – Leopold CEDAR Senghor. Filmi është xhiruar në Senegal, në kryeqytetin Dakar dhe në brigjet e oqeanit Atlantik, ndërkaq bisedën me Senghorin në rezidencën e tij e udhëheq poeti dhe diplomati Aco Shopov, në atë kohë ambasador jugosllav në Senegal.
Filmi EUGENIO MONTALE, u realizua në vitin 1976 dhe zakonisht portretizon kurorëmbajtësin, këtë herë poetin e madh italian, edhe nobelistin Eugenio Montale. Është xhiruar në Xhenova, vendlindja e poetit, por edhe në Milano e Strugë. Po atë vit realizon filmin FAZIL HISNI DAGLARCA kushtuar poetit të madh turk.
Më tej është dokumentari JAFRA, një bashkëpunim i ri midis Popovskit dhe Cenevskit, i realizuar në vitin 1978 në Liban, konkretisht në kampin e refugjatëve Tal El Zatr në afërsi të Bejrutit, ku fronti libanez, gjatë luftës civile në vend, kreu një masakër të paprecedentë ndaj refugjatëve palestinezë ndër të cilët ishin infiltruar shumë luftëtarë, anëtarë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës – PLO. Filmi është bërë nga deklaratat e disa grave të reja palestineze që i mbijetuan masakrës, si dhe pamjet arkivore nga kampi dhe masakra, gjithashtu në film shfaqet dhe lideri i atëhershëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës – Jaser Arafat.
Në filmografinë e Cenevskit janë edhe tre filma dokumentarë – portrete të emrave poetikë jashtëzakonisht të njohur në botë, fitues të çmimit “Kurora e Artë” në mbrëmjet e poezisë strugane. EZHEN GIVLIK i kushtohet veprës së poetit të madh francez, me një pasqyrë të biografisë së tij. Është realizuar në vitin 1979, në Paris, Ohër dhe Strugë dhe me shumë sukses e arrin qëllimin e vet – portretizimin e kurorëmbajtësit Gilvik, ndërkaq regjisori Cenevski me kompozimin e xhirimeve dhe përdorimin adekuat të kontrasteve, si në filmat e mëparshëm të këtij cikli poetik, vizualisht me shumë sukses korrespondon skenarin me propozimin e Popovskit, i cili, natyrisht, rezulton në një dokumentar të nivelit të lartë.
Portreti i dytë poetik është realizuar në vitin 1979 dhe i kushtohet jetës dhe veprës së një prej poetëve më të mëdhenj spanjollë, Rafael Albertit. Filmi paraqet një portret poetik të kurorëmbajtësit Alberti dhe ndjek jetën dhe rrugën e tij krijuese, nga vendlindja e tij në Andaluzi – Puerto de Santa María, përmes pjesëmarrjes së tij në Luftën Civile Spanjolle në anën e republikanëve, katër dekada, mërgimi jashtë vendit të tij të lindjes, në Buenos Aires, Paris dhe Romë, kthimi triumfues në Spanjë në vitin 1977, si dhe marrja e “Kurorës së Artë” në Strugë dhe Ohër. Skenari poetik i Popovskit, poezia e jashtëzakonshme e Albertit dhe poezia vizuale e Cenevskit janë bashkuar në këtë film dokumentar në një arritje të jashtëzakonshme, e cila pa dyshim paraqet një nga veprat më përfaqësuese të dokumentarit portret maqedonas.
Filmi i fundit nga ky cikël poetik i Cenevskit dhe Popovskit është filmi MOSTOVI – MBRËMJET E POEZISË STRUGANE i vitit 1982, retrospektivë disavjeçare e festivalit të njohur të poezisë në Strugë dhe në të prezantohen laureatët e “Kurorës së Artë”.
Në ndërkohë, Cenevski iu rikthye filmit artistik dhe në vitin 1980 realizoi filmin e tij të tretë me metrazh të gjatë, BRIGADA E PLUMBIT, një kritikë delikate dhe e guximshme ndaj shoqërisë burokrato-socialiste, përmes portretizimit të ngjarjeve në boshtin e minierave. Në festivalin e Pulës, filmi u vlerësua me çmimin “NJË MAJI” për filmin me temë bashkëkohore,ndërkaq nga Komiteti Ndërkombëtar i Parisit për përhapjen e veprave Artistike dhe Letrare përmes Filmit (CIDALC) u vlerësua me “Medaljen e Argjendtë”.
Pesë vjet më vonë, në vitin 1985, Cenevski realizoi filmin e tij të fundit artistik, JAZOL, një histori tragjike dhe dramë e ndërlikuar për dëbimin e hebrenjve maqedonas në kampin e vdekjes në Treblinka gjatë Luftës së Dytë Botërore, me aktorin e madh serb me origjinë maqedonase Lazar Ristovski në rolin kryesor, i cili nuk u prit mirë nga kritika në atë kohë, por kur shikohet nga distanca e sotme, filmi e kalon padyshim testin e kohës.
Një vit më parë, në vitin 1984, me skenarin e tij, Cenevski realizoi filmin dokumentar HUASCARAN – ANDES ’82, një raport për udhëtimin e ekspeditës së parë maqedonase nga Shkupi, përmes Parisit, në majat e Andeve në Peru.
Në vitin 1987, Cenevski realizoi arritjen e tij të fundit, filmin dokumentar HEMTEX, një film propagandistik për fabrikën e Shkupit me të njëjtin emër, pas së cilës, për më shumë se tre dekada, ai hyri në një lloj izolimi dhe i zhgënjyer nga gjendja aktuale shoqëroro-politike dhe kulturore, refuzoi të punonte ndonjë film.
Në vitin 2013, Kinoteka e Maqedonisë i ndau Kiril Cenevskit çmimin vjetor “Objektivi i Artë” për kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografinë maqedonase, dhe po atë vit Shoqata e kineastëve në Festivalin Ndërkombëtar të Kamerës së Filmit “Vëllezërit Manaki” në Manastir i dha çmimin e sapokrijuar. “Ylli i madh i filmit maqedonas”.
Në vitin 2019, për nder të përvjetorit të tretë të vdekjes së një prej regjisorëve më të mëdhenj maqedonas, Kinoteka publikoi një botim DVD me filma artistikë të restauruar në mënyrë digjitale të Kiril Cenevskit: FARA E ZEZË, JAD, BRIGADA E PLUMBIT DHE JAZOL.
Nëse regjisori Cenevski hyri në kinematografinë maqedonase nga “askund”, edhe në fund karriera e tij në njëfarë mënyre përfundoi në “askund”. Ky autor i cili u përjetua sikur thuhet në gjuhën frënge “enfant terrible” (fëmijë i tmerrshëm) në kinematografinë e Maqedonisë dhe vazhdimisht i lavdëruar sikur një shpëtimtar i kohës së re, karrierën e tij e përfundoi në moshën 42 vjeçare. Kjo është mosha ku autorët tjerë i xhirojnë filmat e tyre debutues; në të dyja rastet bëhet fjalë për një padrejtësi të njëllojtë apo të ngjashme.
“Në situatën aktuale sikur s’kam terren ta drejtoj bisedën për artin, për të ardhmen, gjithçka është e politizuar. Sistemi i pushtetit është zhvendosur tërësisht, e bashkë me të edhe sistemi i vlerave…” tha Cenevski në intervistën e fundit që dha për media, për revistën “Forum” në vitin 2002 (vendosur në librin “Faceria” të Vlatkos Galevskit, “Forum”, Shkup, 2004).