Historiku

Kinoteka e Maqedonisë është arkiv nacional i filmit, i themeluar me ligj në vitin 1974 dhe merret me mbledhjen, ruajtjen, mbrojtjen, përpunimin, hulumtimin dhe prezantimin e filmave dhe materialeve filmike me rëndësi të veçantë artistike, kulturore, shkencore e historike, me theks të veçantë ndaj trashëgimisë nacionale filmike. Përskaj kësaj, Kinoteka i mbledh edhe filmat dhe materialet e ndryshme filmike që kanë të bëjnë me Maqedoninë, ndërsa janë xhiruar nga xhirues të huaj, njashtu edhe filmat nga produksioni botëror.

Këshilli ekzekutiv i Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë, më 25 mars të vitit 1976, e emëron punëtorin e filmit nga Shkupi, Atanas Aco Petrovskin, për drejtor të Kinotekës.

Në Kinotekën e Maqedonisë ekzistojnë tre sektorë. Arkivi i filmit ose sektori për ruajtje, përpunim të filmave dhe materialeve filmike, pastaj sektori për dokumentim, i përbërë nga sektori për dokumentacion të shkruar, fototeka dhe biblioteka, si dhe sektori për veprimtari botuese, publike dhe hulumtuese.

Kinoteka e Maqedonisë disponon me fond mbi 16.000 kopje filmike,  82.000 pjesë nga materiali propagandues, fotografi dhe pllakate, si edhe 200 metra dokumentacion i shkruar. Në përbërje të Kinotekës është edhe biblioteka e specializuar me më shumë se 4.500 libra dhe revista për historinë dhe teorinë e filmit, pastaj rreth 35.500 lajme nga shtypi ditor (pres kliping). Kinoteka disponon edhe me koleksion muzeor me artefakte të vjetra kinematografike.

Në vitin 2005, Kinoteka e Maqedonisë u transferua në hapësirat e reja (në objektin e bibliotekës “Drugarçe”, ku disponon me kinema dhe depo për ruajtjen e kinematografisë nacionale, të ndërtuara sipas standardeve më bashkëkohore për ruajtjen e trashëgimisë audiovizuale), ndërsa njëkohësisht disponon edhe me kompleksin Konaqet e Havzi pashës  në fshatin Bardovci, për ruajtjen e filmave dhe materialeve filmike nga produksioni i huaj dhe një pjesë të materialeve arkivore.

Gjatë dyzet viteve të punës, Kinoteka vazhdimisht është kujdesur për tërë trashëgiminë audiovizuale përmes implementimit të projekteve të shumta për ruajtje dhe restaurim të produksionit filmik të Maqedonisë. Gjithashtu, Kinoteka është nismëtare dhe organizatore e Festivalit internacional filmik të kamerës “Vëllezërit Manaki” në Manastir; Kinoteka është botuese e revistës “Kinopis” si dhe e 40 botimeve të rëndësishme filmologjike (libra, katallogje e broshura); Kinoteka është botuese e CD-ROMIT “Shekulli i filmit në Maqedoni”, kurse e menaxhon  ueb sajtin e Kinotekës dhe atë të filmit “Qendra informative maqedonase e filmit” (www.maccinema.com), në të cilin prezantohen të gjitha informatat e rëndësishme për kinematografinë e Maqedonisë; Kinoteka në vazhdimësi kujdeset për zhvillimin e kulturës filmike te ne përmes programit të rregullt të Kinotekës në Shkup, por edhe vizituesve nga i gjithë shteti; Kinoteka është organizatore e shumë simpoziumeve ndërkombëtare shkencore.

Kinoteka është anëtare e Federatës ndërkombëtare të arkivave filmike (FIAF) dhe Asociacionit të kinoteka evropiane (АСЕ).

Falë statutit që Kinoteka e gëzon në nivel ndërkombëtar, në vitin 2014 ishte organizator dhe nikoqir i Kongresit të 70 të FIAF-it, që u mbajt në Shkup me pjesëmarrje të 200 delegatëve nga e gjithë bota.