Në fjalorin digjital të gjuhës maqedonase, fjala “kapixhik” është emër i gjinisë mashkullore që ka kuptimin e një dere të vogël gardhi ndërmjet dy shtëpive fqinje, e përdoret si shprehje për diçka që është shumë afër.

Në gjuhën shqipe fjala “kapixhik” domethënë njësoj, deriçkë e cila shpie në oborrin fqinjësor, përkatësisht, te fqiu. Në të dy gjuhët, fjala arkaike kapixhik rrjedh nga gjuha turke “kapi”.

Java e filmit kosovar në Kinotekën e Maqedonisë paraqet pasqyrën e parë të filmave të Kosovës që mbahet në Maqedoni. Filmat BABAI i Visar Morinës, HEROI i Luan Kryeziut, TRI DRITARE DHE NJË VARJE nga Isa Qosja, T’PADASHTUN i Edon Rizvanollit, SHTËPI E ËMBLA SHTËPI i Faton Bajraktarit dhe EHO i Dren Zherkës janë gjashtë titujt  e filmave artistikë të metrazhit të gjatë nga prodhimtaria më e re e kinematografisë kosovare.

Nëse tanimë e kemi mundësinë e parë të “përgjimit” më të detajuar në oborrin kinematografik të fqiut, çka mund të presim?

Në njërën nga kinematografitë më të reja të Ballkanit janë më të spikatura temat bashkëkohore të konfliktit me konservativen, lufta dhe pasojat traumatike të saj, ndarjet sociale, padrejtësia politike në shoqërinë e re, emigracioni ekonomik, orvatjet për integrim të individit në njërën nga shoqëritë evropiane… Kemi laramani të zhanrit, andaj, në gjashtë ditët vijuese do të ndjekim dramë familjare, aksion, “movie on the road”, dramë psikologjike...

Këto tema dhe zhanre të cekura më lartë, thuajse nuk dallojnë fare nga rryma dominuese edhe në filmin artistik  bashkëkohor në Maqedoni. Kinematografia bashkëkohore kosovare, sikur ajo maqedonase, me të drejtë e afirmojnë idenë për projekte bashkëprodhuese – saqë mund të themi se fokusohen plotësisht në këtë fushë – dhe jo vetëm nga shkaku i mjeteve modeste financiare të krahasuara sipas standardeve universale. Në këtë mënyrë jo vetëm që i “mbyllin” planet financiare të projekteve filmike, por e fitojnë edhe dimensionin shumë të nevojshëm internacional si dëshmi që janë pjesë e botës të cilët e kuptojnë filmin edhe si kulturë popullore, por edhe si mjet për komunikim masiv, e në fund, ndoshta edhe që ka më shumë rëndësi, si vepër artistike!

Të shkruanim fjalën prodhim në vend të fjalës vepër, me siguri do të gabonim, sepse më së paku bëhet fjalë për industri filmike. Për këtë arsye, kjo “manifakturë” filmike e Kosovës dhe e Maqedonisë – kuptuar si qëndisje dore filigranike, të paktën në pjesën kreative – nuk mundet pa fenomenin “kapixhiku fqinjësor”, si nyje që i lidh virtytet e popujve me kulturë dhe gjuhë të ndryshme.

 

 

Leave a comment