Kinoteka këtë vit, së bashku me 75 kinema të tjera në 40 vende të Europës, do të jetë pjesë e edicionit të dytë të projektit “Muaji i Filmit Europian”, i cili organizohet nga Akademia evropiane e filmit.

 

Duke filluar nga data 1 Nëntor deri më 9 Dhjetor, Kinoteka do të zbatojë një program që do të përfshijë disa evente të ndryshme filmike që synojnë të kremtojnë pasurinë e filmit evropian, dhe në këtë mënyrë të rrisin audiencën e filmit vendas. Nëpërmjet shfaqjeve të filmave evropianë, ku përfshihen edhe prodhime të rëndësishme filmike vendase, këta dy muajt e fundit të vitit do të jenë një bekim i vërtetë për të gjithë të apasionuarit pas filmit që janë vizitorë të rregullt të Kinotekës.

 

“Muaji i filmit europian” do të fillojë me shfaqjen e filmave LENA DHE VLADIMIR të Igor Alexovit, FAMILJE PËR FILLESTARË të Goran Stolevskit dhe M të Vardan Tozisë, pasuar me retrospektiva të klasikëve të filmit maqedonas në shirit 35 mm – NGRIHU DELFINA , GËZUAR VITI RI ’49, XHIPSI MEXHIK dhe HAJ-FAJ.

 

Ajo që e bën këtë muaj veçanërisht interesant për të gjithë vizitorët është JAVA E FILMIT SPANJOL, e cila do të zgjasë nga data 15 deri më 20 nëntor dhe do të shfaqë filmat LOPËT nga Julio Medem, EL BOLA nga Acero Manjas, TEZË PËR NJË VRASJE nga Hernan Godfriedi, SHTATË TAVELA BILIARDO nga Gracia Quereheta, si dhe MAMAJA MBUSH 100 VJETdhe ELISA, JETA IME nga Carlos Saura.

 

Fundi i nëntorit do të shënojë shfaqjet filmike të regjisores, skenaristes dhe producentes maqedono-sllovene Petra Selishkar, ku përfshihen filmat GJYSHET E REVOLUCIONIT, MAMA EVROPA, BOTA IME E PËRMBYSUR dhe TRUPI me regji të Petra Selishkar. Pjesë e kësaj shfaqje janë edhe filmat DITËT E ÇMENDURISË nga Damian Nenadiq dhe PO PYES VETEN KUR DO TË TË MUNGOJ i Francesco Fei, producent i së cilit është Petra Seliskar.

 

Natyrisht, në fund të këtij “Muaji të Filmit Europian”, dhe pikërisht në fillim të dhjetorit, muajit të fundit të këtij viti, do të ketë një retrospektivë të filmave të regjisorit polak Jerzy Skolimovski, filmi i të cilit “EO” mori vlerësime të shkëlqyera nga kritikët e filmit, fitoi çmimin kryesor në Festivalin e filmit në Kanë dhe u nominua gjithashtu për çmimin prestigjioz Oscar për filmin më të mirë ndërkombëtar.

 

“Muaji i Filmit Evropian” është një iniciativë e Akademisë evropiane të filmit, dhe mbështetet nga Programi MEDIA – Europa Kreative e Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me “Europa Cinemas”, si dhe partnerë të shumtë vendas.