Një përzgjedhje e filmave të vëllezërve Manaki, të përmbledhura nën titullin MANAKI, TREGIM NË FOTOGRAFI, do të shfaqen si pjesë e programit në Festivalin ndërkombëtar të filmave arkivorë, i cili zhvillohet nga data 4 deri më 7 tetor në Tbilisi, kryeqytet i Gjeorgjisë.
Tema e këtij viti në festivalin ndërkombëtar arkivor, i cili organizohet nga Arkivi qendror audiovizual pranë arkivit kombëtar të Gjeorgjisë, është “Pasuritë e arkivave filmike”. Programi përfshin filma të siguruar nga arkivat kombëtare të Maltës, Bullgarisë, Republikës Çeke, SHBA-së, Estonisë dhe Perusë, më pas Instituti dhe Muzeu gjerman i filmit, Muzeu i filmit holandez Ai, Arkivi mbretëror i filmit të Belgjikës, Kinoteka portugeze, Arkivi shtetëror kroat, Muzeu kombëtar i filmit të Torinos dhe natyrisht nga Gjeorgjia mikpritëse.
Ndër titujt e filmave që ofrohen në kuadër të këtij festivali, filmat e Janaki dhe Milton Manaki janë kronologjikisht ndër më të vjetrit, ndërsa xhirimi në të cilin gjyshja Despina tjerr lesh është padyshim filmimi më i vjetër i materialit arkivor filmik që publiku në Tbilisi do të ketë mundësinë ta shikojë. Programi i festivalit përfshin, ndër të tjera, filma të pionierit të filmit francez Alfred Maçin, të autorit çek Jan Nemec, regjisores estoneze Leida Laus dhe gjermanit Robert Sjodmak, pastaj filma të animuar kroat, filma gjermanë ekspresionistë dhe eksperimentalë , filma italianë pa zë , si dhe filma të animuar propagandistikë amerikanë të periudhës së Luftës së Ftohtë
Festivali synon t’i prezantojë publikut gjeorgjian jo vetëm materialet e arkivit kombëtar të filmit, por edhe t’i njohë ata me përmbajtjen e institucioneve përkatëse nga e gjithë bota që kujdesen për ruajtjen e trashëgimisë filmike dhe audiovizuale.
Filmat e vëllezërve Manaki janë në program të shtunën e 7 tetorit.